Një zjarr masiv ka përfshirë pyllin me pisha dhe dushk dje në zonën e Peshtanit në Fier. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era dhe temperaturat e larta. Një numër i madh forcash zjarrfikëse po punojnë për mbajtjen nën kontroll e fikjen e tij. Në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter Cougar thuhet në një reagim të Ministrisë së Mbrojtjes.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të veprimeve për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrëvënies të qëllimshme apo nga pakujdesia, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Z., 28 vjeç, banues në fshatin Peshtan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pyllin e këtij fshati dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me shkurre dhe pisha.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.