Një vatër zjarri ka marrë përmasa masive në kodrat midis Radostinës dhe Shëndëllisë në Fier. Zjarri është pikasur mesditën e djeshme nga banorët e zonës të cilët kanë njoftuar shërbimet zjarrfikëse. Fillimisht flakët kanë përfshirë bimësi dhe më pas të favorizuara edhe nga era janë përhapur me shpejtësi në parcelat me ullinj. Në vendngjarje shkuan 4 zjarrfikëse të Fierit, një mjet zjarrfikës i Rroskovecit dhe një i kompanisë Albpetrol të cilat i janë bashkuar aksionit për neutralizimin e flakëve. Flakët po i afroheshin zonës pyjore, ndërkohë që terreni i vështirë e bënte të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve.