Në orët e para të mëngjesit ra zjarr në kodrat e Vainit në Karbunarë. Zjarri përfshiu kodrat me ullinj, drufrutorë dhe shkurre. Në vendngjarje shkuan dy zjarrfikëset e bashkisë dhe efektivët e policisë. Megjithë ndërhyrjen e banorëve të zonës, efektivëve të sektorit zjarrfikës dhe të policisë nga flakët e zjarrit u dogjën rreth 5 hektarë ullinj, drufrutorë dhe shkurre. Ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur për mungesë të rrugëve dhe terrenit të thyer kodrinor. Me mjete rrethanore dhe pompat e shpinës është bërë e mundur izolimi i flakëve për të mos rrezikuar banesat. Përgjegjësi i Sektorit të Zjarrfikëses Xhezmi Metushi u bën apel fermerëve të tregojnë kujdes dhe të mos ndezin zjarre qoftë edhe për djegien e mbeturinave, sepse është e ndaluar kategorikisht me vendim qeverie ndezja e zjarreve nga data 1 qeshor deri më 30 shtator.