Zjarri i madh goditi me tërbim rajonin e Atikës, duke shkatërruar gjithçka. Sot situata ka marre permasa kolosale në Atikën verilindore. Kujtojmë se pak para orës 6 të mëngjesit zjarri kishte mbërritur në Penteli me një urdhër evakuimi për Pentelin e Vjetër dhe të Ri si dhe dy spitalet e zonës.
Zjarri është krejtësisht jashtë kontrollit dhe vazhdimisht ndryshon drejtim, ndërsa brenda gjysmë ore mbërriti nga Avenue Dionysos në Penteli dhe tani shkon në Nea Makri. Mësohet se janë tre fronte dramatike: Grammatiko, Penteli dhe Anatoli Nea Makri.
Zjarri vazhdon te jete aktiv prej disa javesh por shqetësimin e shton edhe fakti se, siç thanë meteorologët, në orët në vijim pritet forcim i mëtejshëm i erërave të cilat tashmë kanë ndihmuar zjarrin për të përshkuar një distancë të madhe, me gjatësinë e frontit që arrin deri ne 30 km, distanca në të cilën është transportuar tymi në jugperëndim llogaritet të jetë më shumë se 300 km.
Gjatë gjithë natës qindra zjarrfikës u përpoqën të mos lejojnë flakët të kalojnë tek zonat e banuara deri në mëngjes kur filluan të operojnë mjetet nga ajri.
Dhjetëra persona nga 11 qyteza dhe fshatra janë lajmëruar dhe urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre pasi flakët në shumë vende arrijnë në 25 metra. Fronti i zjarrtë është i dukshëm edhe nga imazhet tronditëse të NASA.
Në zonë operojnë 560 zjarrfikës me 177 automjete, 16 grupe vullnetarësh si dhe 32 mjete ajrore, 17 avionë dhe 15 helikopterë.
Një zjarrfikës në Maratonë mbeti i plagosur dhe u dërgua në Qendrën Mjekësore me djegie të shkallës së dytë në krahë dhe në këmbë. Pesë persona të tjerë u dërguan në spital me probleme të frymëmarrjes.
Autoritetet po bëjnë përpjekje për të shpëtuar edhe kafshët duke i strehuar përkohësisht në një qendër koordinimi. Pas dimrit më të ngrohtë të regjistruar në dhjetëvjeçarët e fundit , prej muajit maj në Greqi kanë shpërthyer qindra zjarre të ndihmuara nga moti jashtëzakonisht i nxehtë dhe i thatë , si pasojë e ndryshimeve klimatike që i kanë bërë flakët më të shpeshta dhe më intensive,ndërsa vendi parashikohet të regjistrojë verën e tij më të nxehtë në histori.