Aksidenti i rëndë me 8 viktima i mëngjesit të 2 prillit vijon të ketë zhvillime të mëdha dinamike. 7 trupat e emigrantëve të paligjshëm janë dërguar në morgun e spitalit të Lushnjës pasditen e djeshme, pasi në spitalet e tjera të jugut nuk kishte vende për viktimat.

Çështja vijon të ketë hetime të hollësishme nga prokuroria dhe janë kryer arrestime të disa personave që kanë dijeni për trafikun. Për llogari të policisë dhe prokurorisë Gjirokastër është arrestuar sot Agustin Gjeta 26 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe ndaluar Ramazan Dekovi, 23 vjeç, po nga Shkodra. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale 298/3 te Kodit Penal, për ‘ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’. Sipas burimeve nga prokuroria e Gjirokastrës që po ndjek çështjen, janë identifikuar tre viktima që rezultojnë emigrantë nga Pakistani dhe janë poshtë moshës 30 vjeç.

Prokuroria po intensifikon hetimet, pasi trafiku i emigrantëve të vendeve të treta drejt Europës, prej kohësh është një fenomen i shpeshtë në Shqipëri. Pothuajse çdo ditë njoftimet e policisë në shkallë vendi tregojnë për arrestime të trafikantëve. Një parajsë për “kokat” e trafikut, por  jo për “shoferët” që janë shpesh herë kokat e turkut në këtë mes. Shoferi nga Shkodra që transportonte emigrantët dje humbi jetën. Emigrantët pasi zbresin kryesisht në Greqi e Itali, japin të dhënat dhe lihen të lirë nga autoritetet. Synimi i tyre është Evropa Perëndimore, ndaj dhe ky lloj trafiku është përqendruar kryesisht në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *