Liqeni i Prespës së Vogël është zhdukur. Këtë e konfirmojnë specialist, të cilët thonë se e gjithë sipërfaqja e këtij liqeni është kënetëzuar, duke bërë që vendi ynë të humbë një pasuri të rëndësishme natyrore. Devijimi i lumit Devoll në vitet 70, që vetëm sot shihet si një gabim njerëzor, për shkak të pasojave që la në këtë liqen, bëri që të rritet volumi i aluvioneve e të bllokohen burimet nëntokësore që e furnizonin këtë liqen.

Llazi Stojan, specialist thotë se në zonën Shqiptare nuk ka më liqen dhe ka ndikuar pikërisht nga faktori: njeri. Sipas tij, liqeni fatkeqësisht nuk rikthehet më në gjendjen e mëparshme.

Ky liqen nuk ka më pamjen e atij liqeni të dikurshëm, ku me varka peshkatarët e zonës niseshin nga bregu për të peshkuar.

Banorët thonë se ky liqen nuk konsiderohet vetëm si humbje e pasurisë natyrore, por edhe si një zbehje e burimit të jetesës, duke qenë se liqeni i Prespës së Vogël shfrytëzohej nga vetë banorët për peshkim.

Xhevdet Zeqo ka punuar për 30 vite si peshkatar në këtë zone, por prej 2 vitesh ai nuk mund të futet më në këtë liqen, pasi ai tashmë është zhdukur nën kallamishte.

“Më merr malli të futem në liqen, e mbaj mënd si një liqen të bukur, të kaltër ku peshkonin të gjithë banorët”-thotë Zeqo, por sot është e pamundur të depërtosh në të.

Edhe Leonard Gupe, ish-peshkatar i kësaj zone e kujton me nostalgji atë periudhë madje për të nxjerrë mallin del të hedhe një grep tek-tuk aty ku gjen një copëz ujë nga liqeni.

Ai thotë se shumë rrallë depërton në tokën greke për të peshkuar sa mos harrojë këtë profesion, që dikur i ka dhënë edhe të ardhura.

E teksa në kufi me shtetin grek arrin të dallosh një liqen të pastër e të ruajtur me kujdes sot liqeni i Prespës se Vogël në anën shqiptare është zhdukur plotësisht dhe sipas specialistëve ky liqen nuk mund të kthehet më në gjendjen e mëparshme.

Duhet thënë se Liqeni i Prespës se Vogël është pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds