Duke iu drejtuar kombit nga një kodër me pamje nga Kievi, presidenti Zelensky tha se “e keqja e vjetër” është kthyer, këtë herë në formën e një lufte nga Rusia që ka të njëjtin objektiv si nazistët: atë të “skllavërimit dhe shkatërrimit”, por se Moska nuk do të kishte sukses.
“Ne po i kthejmë vendit tonë historinë e vërtetë pa ndikime ideologjike. Më 8 maj shumica e vendeve të botës kujtojnë madhështinë e fitores ndaj nazistëve,” tha ai në një video të postuar në aplikacionin “Telegram”.
Duke konsoliduar më tej ndarjen e Ukrainës me të kaluarën e saj sovjetike, presidenti Zelensky tha se kishte paraqitur një projektligj në parlament për ta bërë zyrtarisht 8 majin një ditë kujtimi dhe fitoreje, ndërsa 9 majin, kur Rusia shënon ditën e fitores – “Ditë të Evropës”.
“Sot, unë nënshkrova dekretin përkatës dhe çdo vit më 9 maj, ne do të përkujtojmë unitetin tonë historik – unitetin e të gjithë evropianëve që shkatërruan nazizmin dhe do të mposhtin ‘rusizmin’”, tha ai, duke përdorur një fjalë me të cilën ukrainasit i referohen atij që e quajnë fashizëm rus.
Për Rusinë, 9 maji është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare – një kujtim i sakrificave të mëdha të bëra nga Bashkimi Sovjetik për mposhtjen e Gjermanisë naziste.
Rusia Sovjetike dhe Ukraina Sovjetike pësuan humbje të mëdha jetësh në luftë.
Kremlini reagoi ndaj deklaratës së presidentit Zelenski duke thënë se kremtimi i Ditës së Fitores më 9 maj është diçka ‘e shenjtë’ për shumë njerëz në Ukrainë.
I pyetur për planin e zotit Zelenski, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “ka veteranë edhe në Ukrainë që morën pjesë në Luftën e Madhe Patriotike dhe të afërm të tyre, për të cilët kjo ditë është dhe do të mbetet e shenjtë”.
Dorëzimi pakushte i Gjermanisë naziste hyri në fuqi në orën 23:01, më 8 maj 1945, kur në Moskë kishte hyrë 9 maji.
Moska ka intensifikuar sulmet në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe qytete të tjera anembanë vendit përpara 9 majit, dhe disa analistë thonë se presidenti Vladimir Putin do që të sigurojë një fitore në frontin e luftës që të përkojë me festën.