Apeli i dha të drejtën e vulës, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe rrëzoi ankimin e bërë nga Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.

Gjykata argumenton se autorizimi i Lulzim Bashës për Enkelejd Alibeajn nuk kishte më vlerë juridike pas dorëheqjes së tij publike.

“Gjykata e Apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimnarrëse në procesin zgjedhor. Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z.Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z.Lulëzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022.

Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen eskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit.

Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”.

Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.

Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet”, theksohet në vendim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds