Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë, në datat 28-29 shkurt, kur edhe do të mbahet samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Lideri ukrainas pritet të mbërrijë në Tiranë në mbrëmjen e 27 shkurtit, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Samiti do të zhvillohet nën masa të larta sigurie. Zbatimi i planit të masave për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë nga Policia e Shtetit do të nisë që më datë 27 shkurt, pasi në mbrëmjen e 27 shkurtit Zelensky mbërrin në Rinas. Në total mbi 1500 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë për samitet. 1500 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Garda, FNSH, RENEA, efektivë të krimeve dhe rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren për mbarëvajtjen e samitit. Po ashtu Garda dhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë për të vëzhguar përveç terrenit edhe rrjetet sociale, nëse do ketë thirrje për destabilitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha fotot e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vendin tonë. Sa i përket sigurisë së personaliteteve që do të jenë në samit prej ditësh në vendin tonë ndodhen edhe ekspertë të huaj, të cilët kanë asistuar ndihmën e tyre në shoqërimin me eksortë të personaliteteve të huaja nga Rinasi. Sidomos një grup i posaçëm që merret me sigurinë e presidentit ukrainas Zelensky. Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e z. Zelensky, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij Samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të disa akseve interurbane dhe urbane, të kryeqytetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds