Pas 20 vitesh kultivim të vreshtave të rrushit, fermeri Pajtim Lamaj nga fshati Mbërs i Bashkisë Rroskovec ka vendosur asgjesimin e hardhive për t’i zëvendësuar ato me ullishte.
Lamaj tregon se ka qënë fermeri i parë që ka mbjellë vreshta në këtë zonë dhe në sipërfaqen prej tre hektarësh ka arritur të marrë deri në 300 kv prodhim. Po sipas tij ky është viti i parë me prodhim zero dhe shkak për këtë situatë ka qënë moti i pafavorshëm që ka shkaktuar shumë sëmundje të hardhive, cilësia e dobët e pesticideve dhe mungesa e ndihmës nga shteti. Lamaj tregon gjithashtu se të gjithë kultivuesit e vreshtave po i braktisin siperfaqet e mbjella me rrush pasi ky vit i çoi në faliment të plotë. Dëmi financiar për fermerin Lamaj arrin në 15 milionë lekë të vjetra duke e çuar në një situatë tepër të vështirë ekonomike e madje kjo situatë ka bërë që të mendojë edhe largimin nga vendi në moshën 64- vjeçare.
Sipas kultivuesit Lamaj jo vetëm prodhimi zero këtë vit është problem madhor për ta, por edhe sasia e madhe e rakisë që u ka mbetur stok në banesat e tyre për shkak të mungesës së tregut.