Dëshmia e fqinjit të familjes Pushani konfirmon versionin e dhënë nga autorja e krimit, Marsela Pushani, e cila dy ditë më parë vrau motrën e saj 37-vjeçare Amanda Pushani, pas konflikteve të vazhdueshme për shkak të alkoolit.
Pronari i dyqanit, në lagjen ku jetonin dy motrat, tha se 37-vjeçarja i kërkonte alkool dhe kur nuk i dha ajo nuk i foli më.
“Ne na lajmëroi një komshi për atë që kishte ndodhur, ka kaluar kohë që kur ajo vinte me kërkonte që t’i jepja alkool. Po që kur i thash asaj se nuk i jap më pije, as motra e saj nuk më foli më. Babain e tyre e njihja ishte një burrë zotëri nuk konsumonte alkool, ishte shumë normal. Mesa di unë ka vdekur nga problemet e zemrës. Ato jetojnë këtu që kur është ndërtuar ky pallati, nuk kanë vëlla, janë të pa martuara. Ajo merrte borxh me ditë. Nuk e di nëse punonte mbaj mend që dilte në mëngjes për punë para disa kohësh”, tha fqinji.