Olsi Ibro, i cili u hodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë është i përfshirë në skemën e mashtrimit miliona eurosh.
Ai u vetëhodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të dhjetë shtetasve dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’, përfshirë edhe të Ibros.
Llogaritë bankare iu sekuestruan personave: Olsi Ibro, Arben Meskuti, Ernela Cuberi, Elda Ibro, Albert Gega,Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, ata kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%.
Një ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës gjykata aprovoi sekuestron preventive ndaj dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, të dyshuara se kryen mashtrim me pasoja të rënda në dëm të mijëra qytetarëve si dhe pastruan para.
Dy shoqëritë e sekuestruara në bashkëpunim me ADCA dhe shoqëri përmbarimore krijuan një skemë për të vjedhur qytetarët në vlera disa milionë euro.
Ndërsa gjykata aprovoi sekuestrimin krimi ekonomiko financiar kreu inventarin e dosjeve në selitë e të dyja shoqërive.
Prokuroria thotë se përmes presionit psikologjik dhe përndjekjes qytetarët u detyruan të merrnin kredi të dyta.
Në maj gjykata shpalli nëntë masa sigurie ndaj ish përmbaruesve dhe administratorëve pasi hetoi se si përmbi katër mijë kredi të këqija të blera nga një bankë e nivelit të dytë me një shumë prej gati 7 milionë euro, ishin shumëfishuar në dëm të interesave të debitorëve të cilëve ju ishin sekuestruar pasuri dhe llogari bankare.
Dhe ndërsa Ministria e Drejtësisë dorëzoi një kallëzim të dytë së fundmi, prokuroria thotë se shoqëritë dhe të hetuarit përdorën të dhënat personale të debitorëve për t’i kërcënuar për marrëveshjet e reja.
Deri më tani rezulton se dy shoqëritë bllokuan llogari bankare të debitorëve në kundërshtim me ligjin duke mos u lënë asnjë mundësi jetese debitorëve.
Pasuritë e përftuara dhe të bllokuara në mënyrë të paligjshme dyshohen se më pas janë investuar dhe ndaj akuzua po heton edhe për pastrim parash.