Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fekondimin artificial, dështoi të miratohej në parlamentin e Kosovës duke ngjallur shumë debate për shkak të mospajtimeve rreth disa neneve që u mundësojnë individëve, dhe jo domosdoshmërisht vetëm çifteve burrë e grua, të kenë fëmijë përmes metodës së njohur në shkallë të gjerë si IVF.
Gjuha e përdorur në parlament dhe në media nga ata që kundërshtojnë këtë projektligj është dënuar ashpër nga organizata të shoqërisë civile, duke e cilësuar atë si gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese ndaj grave dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBTI.
Grupi për të drejtat e grave ‘Marshojmë s’festojmë” u hodh në protestë para ndërtesës së parlamentit të Kosovës kundër deputetëve që kundërshtojnë këtë projektligj. Organizatoret e protestës duke bërë thirrje për miratimin e këtij projektligji thanë se diskutimet rreth tij deri tani kanë qenë çnjerëzore ndaj grave dhe të përcjella me propagandë e gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale dhe elektorale.
Projektligji për shëndetin riprodhues dhe IVF-në u miratua në lexim të parë pas shumë përpjekjesh në tetor të vitit të kaluar, me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime. Ndërkohë të enjten që shkoi parlamenti dështoi sërish të votojë në lexim të dytë këtë projektligj për shkak të mungesës së kuorumit.