Shërbimet kombëtare të motit kanë paralajmëruar temperatura mbi 40 gradë në Rumani, Serbi dhe Bosnje këtë javë. Temperaturat në të gjithë Evropën Juglindore dhe Lindore kanë qenë në rritje, me Shërbimin Kombëtar Serb të Motit që parashikon një valë të nxehtë njëjavore me temperatura deri në 41 gradë Celsius.
Shërbimi paralajmëroi se moti do të varionte nga i rrezikshëm në shumë i rrezikshëm për njerëzit dhe kafshët. Sipas mediave vendase, vala e të nxehtit do të godasë pjesët jugore të vendit. Në Rumani, vala e të nxehtit është rikthyer dhe ka prekur veçanërisht jugun dhe perëndimin e vendit.
Paralajmërimet me kod portokalli dhe të verdhë janë në fuqi deri të enjten në mbrëmje, por meteorologët thonë se do gjatë gjithë javës nxehtësia do të jetë përvëluese, me qytetarët që do të ndihen si në një “furrë”.
Një banore e Bukureshtit thotë se në vend që të kalonte kohë në tarracën e saj, ajo qëndroi brenda me kondicioner të ndezur. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të zgjidhja kondicionerin në vend të freskisë së verës”, tha ajo. Temperaturat prej 43 gradësh Celsius janë regjistruar në pjesë të ekstremit jugor të vendit, me netë pak më të freskëta. Rumania ka përjetuar disa valë ekstreme të temperaturave këtë verë. Njerëzit me probleme zemre janë më të goditurit. Vetëm në Bukuresht këtë verë, pati 20% më shumë shtrime urgjente të njerëzve që vuanin nga vapa.
Javën e ardhshme pritet pak fresk dhe parashikohen edhe reshje shiu, megjithatë temperaturat do të mbeten mbi mesataren. Ndërkohë, vala e fortë e të nxehtit dhe thatësira po shkatërrojnë të korrat në Bosnje. Fermerët vlerësojnë se rreth gjysma e të korrave të tyre janë dëmtuar këtë vit. Vendi është goditur nga tre valë të nxehti këtë verë dhe fermerët nuk mund të bëjnë asgjë më shumë sesa të shikojnë të korrat e tyre të thahen në fusha.
Vendi nuk pa pothuajse asnjë reshje shiu gjatë gjithë verës, me temperaturat ditore që janë luhatur midis 35C dhe 40C, në intervale nga qershori deri në gusht.