Rusia goditi spitalin kryesor të fëmijëve në Kiev me një raketë në mes të ditës të hënën dhe lëshoi raketa mbi qytetet e tjera anembanë Ukrainës, duke vrarë të paktën 41 civilë në valën më vdekjeprurëse të sulmeve ajrore në muaj të tërë.

Prindërit që mbanin në duar foshnja ecnin në rrugën jashtë spitalit, të tronditur e në lotë, pas sulmit të rrallë ajror në mes të ditës.”Ishte e frikshme. Nuk mund të merrja frymë, po përpiqesha ta mbuloja bebin tim. Po përpiqesha ta mbuloja me këtë leckë që të merrte frymë,” thotë Svitlana Kravchenko, 33 vjec.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili u ndal në Poloni përpara se të nisej për në Uashington për një samit të NATO-s, tha se numri i të vdekurve ishte 37, duke përfshirë tre fëmijë. Më shumë se 170 u plagosën. Por numri total i viktimave, nga rajone të ndryshme të sulmuara të hënën, arriti në të paktën 41.

Duke shkruar në aplikacionin e mesazheve Telegram, Zelenski tha se më shumë se 100 ndërtesa ishin dëmtuar, duke përfshirë spitalin e fëmijëve dhe një qendër materniteti në Kiev, çerdhet e fëmijëve dhe një qendër biznesi si edhe shtëpi. “Terroristët rusë duhet të përgjigjen për këtë”, shkroi ai.

Ministria e Brendshme tha se ka pasur dëme edhe në qytetet qendrore të Kryvyi Rih dhe Dnipro si edhe në dy qytete lindore. Qeveria shpalli një ditë zie të martën për një nga sulmet më të rënda ajrore të luftës, për të cilin tha se tregonte se Ukraina kishte nevojë urgjente për një përmirësim të mbrojtjes ajrore të saj, me ndihmën e aleatëve të saj perëndimorë.

Forcat ajrore të vendit thanë se mbrojtja ajrore kishte mundur të rrëzonte 30 nga 38 raketat e lëshuara nga moska. Një video në internet e siguruar nga Reuters tregonte një raketë që binte drejt spitalit të fëmijëve, e ndjekur nga një shpërthim i madh.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës e identifikoi raketën si një raketë lundrimi Kh-101. Autoritetet ushtarake të Kievit thanë se 27 persona kishin vdekur në kryeqytet, duke përfshirë tre fëmijë, dhe 82 u plagosën në rrebeshin e raketave dhe në një sulm tjetër që u krye dy orë më vonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds