Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se vendi i tij po përgatit një kundërofensivë për të çliruar zonat që janë nën kontrollin e Rusisë dhe jo për të sulmuar territorin rus.

Duke folur gjatë një konference për shtyp me Kancelarin Olaf Scholz në Berlin, zoti Zelenskyy tha se qëllimi i Ukrainës është të çlirojë territoret brenda kufijve të saj të njohura në rrugë ndërkombëtare.

Ne nuk do të sulmojmë territorin rus. Duam të çlirojmë tokën tonë të ligjshme, nuk na intereson sulmi ndaj territorit rus. Ne nuk kemi kohë për këtë, nuk kemi as burime, nuk kemi armë të tepërta për ta bërë këtë. Ne jemi të përqendruar në përgatitjen e veprimeve kundërsulmuese, për të çliruar territoret tona, sipas ligjit ndërkombëtar, ligjit tonë, dhe Kushtetutës. Ne duam të çlirojmë territoret tona të njohura nga e gjithë bota. Kjo është ajo që ne duam”, deklaroi zoti Zelenskyy.

Deklaratat e vijnë pas spekulimeve se Ukraina mund të përpiqet të sulmojë dhe marrë zona në Rusi dhe t’i përdorë ato më vonë në negociatat e mundshme të paqes për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt 2022.

Presidenti ukrainas ka nisur një tur në vendet aleate në kërkim të armëve të tjera për të ndihmuar vendin e tij të mundë forcat ruse, si dhe për të kërkuar fonde për të rindërtuar atë që është shkatërruar nga më shumë se një vit konflikt shkatërrues. Përpara se të mbërrinte në Berlin, zoti Zelenskyy ishte në Romë, ku takoi Papa Françeskun dhe Kryeministren Giorgia Meloni.

Kjo është vizita e tij e parë në Berlin që nga fillimi i luftës dhe vjen një ditë pasi qeveria gjermane njoftoi një paketë të re me ndihma ushtarake për Ukrainën me vlerë mbi 2.7 miliardë euro duke përfshirë tanke, sisteme kundërajrore dhe municione.

Kancelari gjerman e bëri të qartë se ndihmat nga vendi i tij do të vijojnë për sa kohë të jetë e nevojshme.
Pasi fillimisht hezitoi t’i sigurojë Ukrainës armë të kalibrit të lartë, aktualisht Gjermania është bërë një nga furnizuesit më të mëdhenj për Ukrainën, përfshirë dërgimin e tankeve “Leopard” si dhe sistemin e sofistikuar të mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM.
Pajisjet moderne perëndimore konsiderohen vendimtare nëse Ukraina do të ketë sukses në kundërsulmin e saj të planifikuar kundër trupave ruse.

Ndërsa udhëheqësit gjermanë kanë shprehur mbështetje të fortë për Ukrainën, votuesit gjermanë janë të ndarë nëse vendi i tyre duhet të sigurojë armë të tjera, veçanërisht avionë luftarakë që Kievi kërkon për kundërofensivën.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidenti ukrainas u nderua me çmimin prestigjoz Karli i Madh “Charlemagne”. Ai e mori çmimin në qytetin e Ahenit ku udhëtoi me helikopter së bashku me Kancelarin Scholz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds