Turqia do të mbajë të dielën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që mund të zgjasin qëndrimin në pushtet të Presidentit Erdogan me një tjetër dekadë, ose mund ta vendosin vendin në një kurs të ri.

Rivali kryesor që po përpiqet ta largojë zotin Erdogan pas 20 vitesh në pushtet, është Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i Partisë Popullore Republikane (CHP), një parti laike e qendrës së majtë.

Ai është kandidati i përbashkët i një aleance të gjashtë partive, që është mbiquajtur ”Tryeza e të Gjashtëve”.

Opozita ka premtuar shpërbërjen e sistemit presidencial ekzekutiv të krijuar nga zoti Erdogan dhe rikthimin e vendit tek demokracia parlamentare me mekanizma kontrolli dhe balance.

Opozita ka fituar edhe mbështetjen e partisë pro-kurde të vendit, e cila fiton rreth 10% të votave. Në anketime, zoti Kilicdaroglu rezulton me një avantazh të lehtë përballë zotit Erdogan. Në garë janë edhe dy kandidatë të tjerë shanset e të cilëve konsiderohen të pakta.

Çështja kryesore në zgjedhje është ekonomia dhe inflacioni i lartë që ka ulur fuqinë blerëse të familjeve turke.

Votuesit turq do të përzgjedhin një parlament të përbërë nga 600 deputetë. Opozitës i duhet të fitojë të paktën një shumicë të thjeshtë për të qenë në gjendje që të zbatojë disa prej reformave demokratike që ka premtuar. Mbi 64 milionë turq kanë të drejtën e votës, ndër ta edhe 3.2 milionë turq të diasporës, nga të cilët 1.6 milionë kanë marrë pjesë tashmë në votime të hershme jashtë vendit, ose në aeroporte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds