Vdekja e një vajze e cila po mbahej në paraburgim nga policia shkaktoi trazira që zgjatën gati gjashtë muaj në Iran. Në shtator të vitit të kaluar, 22-vjeçarja Mahsa Amini u arrestua për atë që policia e Republikës Islamike e quaji “veshje jomodeste”.
Teherani publikoi një video që pretendonte se Aminin, kishte pësuar një goditje në zemër në kohën që mbahej në paraburgim dhe si rezultat humbi jetën. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, familja e saj e kundërshtoi këtë pretendim të autoriteteve.

Pothuajse menjëherë, pati reagime të forta në Iran dhe në botë për trajtimin e ashpër të Aminit dhe shumë të tjerëve nga autoritetet e Iranit. Pas fillimit të protestave, Teherani filloi të burgoste gazetarë kritikë ndaj regjimit.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dokumentoi rreth 100 arrestime të personelit të medias nga fundi i shtatorit, kur nisën protestat, deri në fillim të janarit, gjysma prej tyre gra.

Ndaj të arrestuarve ngriheshin akuza për veprime të paqarta antishtetërore, përfshirë spiunazhin, një krim i dënueshëm me vdekje.

Në Uashington, zonja Rezaian thotë se megjithëse iranianët nuk i frikësohen më regjimit si dikur, kërcënimet dhe dhuna mbeten shumë reale.

“Kam frikë për gazetarët. Por më vjen mirë që janë të guximshëm dhe nuk kanë frikë të thonë të vërtetën. Ata nuk kanë frikë të mbulojnë ngjarjet mbi vendin e tyre”, thotë ajo.

Misioni i përhershëm diplomatik i Iranit në OKB nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment. Por Republika Islamike, së fundmi, njoftoi faljen e dhjetëra mijëra iranianëve të arrestuar pas fillimit të protestave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *