Nga sot Taulant Balla është zyrtarisht Ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Në orën 11:00 Taulant Balla u betua në Presidencë para Presidentit të Republikës Bajram Begaj në detyrën e Ministrit të Brendshëm. Në ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe deputetë të PS-së.
Balla është ministri i pestë i qeverisë socialiste, prej vitit 2013 kur mori pushtetin. Kuvendi miratoi më 13 korrik me 75 vota pro, 16 kundër dhe 1 abstenim emërimin e Ballës, i cili do të zëvendësojë Bledi Çuçin pas shkarkimit të tij.
Kujtojmë që Taulant Balla karrierën politike e ka nisur në vitin 2004, ku shërbeu si Këshilltar i Kryeministrit Fatos Nano. U zgjodh në vitin 2005 për herë të parë deputet i Librazhdit dhe që prej asaj kohe ka qënë prezent në Kuvendin e Shqipërisë.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017 Taulant Balla u emërua Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist . Më herët, ai ka qenë edhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike, post që e mbajti deri në vitin 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri. Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partinë Socialiste në Qarkun Fier.
