Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, duke mirëpritur miratimin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, tha se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç janë zotuar të pajtohen për hollësitë operacionale në takimin e ardhshëm, që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.
Edhe 24 vjet pas luftës në Kosovë, ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave të zhdukur, shumica e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Miratimi i kësaj deklarate njëherësh shënon edhe fillimin e zbatimit real të marrëveshjes së arritur me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
Paraqitja dhe diskutimi i projekt statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është çështja e dytë që pritet të diskutohet në takim.
Projekt statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që paraqitet sot është hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb.
Autoritetet në Kosovë kanë hedhur dyshime lidhur me përbërjen e ekipit ndërsa kanë theksuar se ky mekanizëm duhet të përbëhet nga qytetarë të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë duke shtuar se Kosova nuk do të pranojë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një kërkesë e theksuar shpeshhere nga diplomatët perëndimorë.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit,Chollet, javën e kaluar bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa të hënën në mbrëmje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të shprehur prirjet amerikane për një takim konstruktiv dhe përparim në bisedime,për formimin e Asociacionit.
Deri tani nga ajo çfarë është paraparë në Ohër, përveç deklaratës që u miratua, është realizuar vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues, që drejtohet nga Bashkimi Evropian për zbatimin e marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se çdo refuzim për ta zbatuar në tërësi këtë marrëveshje do të ketë pasoja negative.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds