Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.

Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për këtë sulm, të cilin e cilësuan si terrorist, duke shtuar se ishte sulmi më i rënd ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e fundit në Kosovë.

Serbia e mohoi këtë.

Pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin, autoritetet kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia ka dashur  “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi cdo perfshirje në sulm, duke shtuar se akuzat e bëra kundër Serbisë “pa prova mbështetëse” janë “shumë shqetësuese”. Ai bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar “për këtë akt sabotimi”.

Të shtunën pasdite, Bashkimi Evropian dënoi ashpër “sulmin terrorist”, duke shtuar se “është një akt i neveritshëm sabotimi ndaj infrastrukturës kritike civile të Kosovës”.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds