Rreziku nga kafshimi prej qenve endacakë është shqetësues për qytetarët e Lushnjës, të cilët ndeshen çdo ditë me ta në rrugët e qytetit dhe pranë banesave të tyre .
Me vite të tëra, qentë endacak janë bërë problem i “pazgjidhur” nga bashkia e Lushnjës.Është e disata herë që TV4 plus ka nxjerrë në pah problematikën e qenve endacakë,por asnjë masë e marrë deri tani kundrejt këtij problemi.
Qentë e rrugës apo endacakët e rrugës, shpesh herë formojnë kope duke u bërë kërcënim për qytetin.Sakaq ndonjëherë ngjan sikur të drejtat e qenve respektohen më shumë se sa ato të njerëzve, ku një lehje e dhunuar duket se mbrohet më tepër se sa një individ i kafshuar.
Nuk janë të pakta rastet e banorëve të kafshuar nga qentë e rrugës, të cilët, ndër të tjera, janë edhe mbartës të sëmundjeve vdekjeprurëse. Përveç këtyre, qentë e rrugës janë shqetësim për banorët, pasi ndotin qytetin, përhapin plehrat dhe lehin gjatë natës.
Jasht kamerave banorët u bëjnë apel institucioneve që qentë të mjekohen , të mbahen nën kontroll nga veterinerët e bashkisë, si dhe tu sigurohet një vendstrehimi.
Shtimi i tyre po rrezikon shumë kalimtarët, pre e sulmit të qenve të rrugës në shumë raste kanë qenë edhe fëmijët.Kësaj problematike duhet ti jepet një zgjidhje e menjëhershme,nga institucionet përkatëse.