Nisja e aplikimeve për skemat mbështetëse të bujqësisë ditën e martë,ka sjellë të tjera probleme për fermerët. Kërkesa shtesë këtë sezon aplikimesh është dhe një numër llogarie për fermerët në mënyrë që kompensimin e naftës t’a marrin në para dhe jo lëndë fizike.
Kjo ka bërë që sot në ditën e dytë të aplikimeve radhët të shkojnë nga sportelet e drejtorisë së AREB Lushnje në bankat e nivelit të dytë.
Pamjet flasin vetë për këtë fakt. Vetëm në 200 metra distancë nga njëra tjetra, në qëndër të qytetit operojnë 7 banka të nivelit të dytë. Dyndja e fermerëve dhe pritja në radhë është aq dëshpëruese sa askush prej tyre nuk dëshiron të prononcohet.
Gjithsesi,ka kohë dhe dyndja nuk është e justifikuar pasi mund të aplikohet deri në datën 19 prill. Jashtë kamerave fermerët kërkojnë të mbarojnë punë me aplikimin sa më shpejt.
Hapja e llogarive bankare, si dhe pajisja me NIPT e fermerëve,jo vetëm shërben për aplikimin në skemat mbështetëse të bujqësisë të shpallura nga qeveria,por i hap rrugën edhe formalizimit të këtij sektori ku abuzimet nuk kanë të mbaruar,qysh nga pagesat për prodhimin bujqësor nga ana e pikave të grumbullimit,por edhe marrdhënieve midis tyre për kontrata serioze në të ardhmen.