Dje pavarësisht motit me reshje të dendura dhjetra fermerë të disa fshatrave të Roskovecit e Dimalit u ngritën në një protestë për t’i thënë stop ndërtimit të Termocentralit në Suk 1. Njëzëri, me pankarta në duar, banorët e kanë quajtur vdekjeprurës ndërtimin e termocentralit në zonën e tyre duke theksuar se prania e tij do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 ha me sera, pasi sipas tyre jo vetëm toka , uji, por edhe ajri do të ndoten.
Fermerët kanë pohuar gjithashtu se tentativa e bashkisë së Roskovecit për t’i hapur rrugën ndërtimit të këtij termocentrali në zonën bujqësore të Suk 1, është kriminale, pasi kanë vuajtur mjaftueshëm nga ndotja dramatike e puseve të naftës.
Ne kërkojmë urgjentisht transparencë pasi nuk jemi vënë në dijeni të këtij projekti kanë thënë fermerët protestues duke paralajmëruar edhe grevë urie.
Ndërtimi i këtij termocentrali ka ngjallur debate të ashpra edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak ku është rrëzuar me shumicë kartonash dhe dje këshilltarët kanë protestuar së bashku me fermerët. Këshilltarët e djathtë Dhurata Malka e Fredi Feleqi në prononcimin për mediat u kanë bërë thirrje edhe këshilltarëve që votuan pro , ta kundërshtojnë këtë investim vdekjeprurës .
Protestat kundër ndërtimit të këtij termocentrali të refuzuar në bashki të tjera të vendit, do të vijojnë.