Prokuroria e Posaçme  konfirmoi zyrtarisht se hetimet për koncesionin e sterilizimeve kirurgjikale në spitale nuk janë mbyllur ende, por janë drejt përfundimit.

Hetimet janë përqëndruar mbi procedurat e dhënies së koncensionit prej 100 milionë eurosh për 10 vjet, pas dyshimeve për shpërdorim detyre, mashtrime dhe falsifikim dokumentash.

SPAK-u ka arrestuar prej 7 muajsh zëvendës-ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, ndërsa mban si person nën hetim ish ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga gushti i vitit të kaluar, kur arrestoi ish zëvendës ministrin Rrjepaj dhe biznemenin Rrapaj, SPAK-u po heton mbi shkeljet e dyshuara në procedurat e koncesionit për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet shtetërorë, i cili iu dha kompanisë SaniService si fitues nga ministria e Shëndetësisë në dhjetor 2015, pra mbi 8 vjet më parë.

Rrjepaj dyshohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim, ndërsa Rrapaj, biznesmeni që fitoi koncensionin, u arrestua nën dyshimet pë mashtrim me pasoja të rënda.

Ndërsa 6 zyrtarë dhe ekspertë, edhe pjesëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave janë po ashtu nën të njëjtat akuza për falsifikime dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e orientoi Prokurorinë e Pasoçme, që të zgjeronte hetimet edhe për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur dijeni e lidhje për këtë koncension.

Pas kësaj ish ministri Beqaj u vu si person nën hetim për shpërdorim detyre. Ai çdo të premte paraqitet në SPAK për pyetje dhe komunikime të tjera, ndërsa iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.

Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekziston dyshimi, bazuar në faktet penale, që zoti Beqaj ka konsumuar edhe elementë të falsifikimit të vulave dhe formularëve dhe se ai ka qenë në dijeni të plotë të gjithë procedurave dhe dokumentave, ku ka lejuar të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit dhe më pas u zgjodh koncensioni si procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds