667 maturantët e bashkisë Lushnjë u testuan në 4 qendra, në gjimnazin “18 Tetori”, “Jani Nushi”, shkolla mekanike Bujqësore dhe shkolla 9-vjeçare “4 Dëshmorët. Provimi filloi në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta. Monitoruesit në këtë provim ishin mësuesit nga Lushnja. Në provimin e gjuhës së huaj Anglisht, mbrëmjen para testimit mësuesit monitorues lushnjarë u zëvendësuan me mësuesit monitorues nga Fieri. Mësuesit dhe opozita denoncuan këtë praktikë pune që u zbatua vetëm në Lushnjë dhe sot provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u monitorua nga mësuesit e Lushnjës.
Edhe në këtë provim teza e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ka dal online 30 minuta pas fillimit të provimit gjë që ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që thotë se “Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin zhvilluan provimin e tyre në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore.
MAS dhe institucionet arsimore mbeten të angazhuar për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë për të gjithë maturantët, duke u kujdesur që çdo shqetësim i opinionit publik të trajtohet me seriozitetin e duhur”.
Në të njëjtën kohë, Ministria thekson se institucionet arsimore ndërmorrën të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të provimit dhe për të ruajtur integritetin e tij.