Për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe shmangur aksidentet është shumë e rëndësishme sinjalistika rrugore. Në Lushnjë prej vitesh nuk funksiononin semaforët dhe vijat e bardha që kishin zëvendësuar këta të fundit sidomos në kryqëzimet ishin fshirë nga këpucët e këmbësorëve, nga shiu dhe dielli.
Sot Ndërmarrja e Pasurisë Publike nisi fazën e parë të vijëzimit me vija të bardha për këmbësorët në Bulevardin “Kongresi”, rruga “Misto Mame”, rruga “Arben Vogli”, rruga “Vojo Kushi”, rruga “Fan Noli”, rruga “Uan Kondakçiu”, rruga “Vedut Dokollari” dhe rruga “Marlin Barleti”.
Puna filloi me vijëzimin me viza të bardha tek kryqëzimi pranë përroit tek rruga “Shëtitorja e palmave”.
Gjithashtu po hiqen semaforët të cilët nuk punuan asnjëherë dhe për këtë gjë kanë qënë disa herë temë e kronikave të televizionit tonë dhe po vendosen tabelat e munguara të sinjalistikës rrugore.
Sinjalistika rrugore është vendosur edhe tek rrugët e sapobëra anës përroit, që do të jenë me një sens drejtimi.
Policia Bashkiake po ndjek nga afër punën dhe po lehtëson lëvizjen e mjeteve duke rregulluar trafikun në qytet.