Pas një përpjekjeje intensive prej pesë ditësh, misioni i shuarjes së zjarreve në Shqipëri ka përfunduar me sukses. Dy avionët ushtarakë rumunë, të tipit C-27J Spartan dhe C-130 Hercules, të cilët u angazhuan në këtë mision në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër flakëve që kishin përfshirë disa nga zonat më të rrezikuara të vendit tonë.
Gjatë këtyre ditëve, avionët rumunë kanë kryer dhjetëra fluturime mbi disa nga vatrat më të nxehta të zjarrit, duke ndihmuar në izolimin dhe fikjen e flakëve në parqet kombëtare, zonat e banuara, si dhe në terrenet më të vështira dhe të paarritshme. Përpjekjet e tyre kanë qenë vendimtare për të ndaluar dëmet e mëtejshme. Gjatë gjithë misionit në Shqipëri, avioni rumun kreu gjithsej 23 hedhje, duke përdorur një total prej 141,000 litrash uji në zonat e: Liqenit të Prespës, Malit të Tomorrit, në fshatin Nënshetaj, në Orosh të bashkisë Mirditë, në Fushë Bulqizë dhe në fshatin Arrën në Bashkinë e Kukësit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shprehur mirënjohje të thellë për stafin rumun të angazhuar në këtë operacion të ndërlikuar, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë misionit. Ministri Vengu ka falënderuar gjithashtu Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e ngushtë në koordinimin e këtyre përpjekjeve.