Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar në Uashington dokumentin për Lëvizshmërinë Ushtarake përgjatë Korridorit të VIII.
Përmes këtij dokumenti, shtetet që kanë firmosur marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e lehtësimit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të zbatimit të agjendës së NATO-s për mbrojtjen në zonën euro-atlantike, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Europian.
Ky dokument i firmosur nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe homologët e tij u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga Deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, në rast nevoje.
Nënshkrimi i këtij dokumenti është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit. Nga ana tjetër Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.