Të martën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi fazën përmbyllëse të ankandit të parë për ndërtimin e parqeve eolike, ku u shpallën dhe fituesit e propozimeve për ndërtimin e impianteve eolike në tre zona të ndryshme të vendit: grupi austriak Verbund AG, konsorciumi franko-shqiptar Total Eren SA &KMV shpk dhe ai turko-shqiptar Guris Insaat ve Muhendislik AS &Mogan Energji Yatirim Holding SA & BRD Energy.
Procesi për shfrytëzimin e erës për prodhimin e energjisë ka nisur që në qershor të vitit 2021, kur autoritetet shqiptare me mbështetjen e Bankës europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERS), hapën garën. Të gjitha palëve të interesuara ju ofrua dhe një studim teknik, i realizuar nga ekspertë të huaj, “i cili tregonte sesi dhe ku duhet të ndërtohen në territorin e Shqipërisë parqet eolike, pasi performanca e tyre varet nga korridorët në të cilat ato ndërtohen, pra sa është shpejtësia e erës, në cilën lartësi gjendet era, kështu që duke i vënë në dispozicion këtë analizë, këtë studim të gjithë kompanive të cilat ishin të interesuara ne vumë gurin e parë të themelit të këtij procesi”, shpjegoi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.