Është ndaluar një person i dyshuar si pjesëtarë i grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, ku bëhej shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Prishtinës përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria shton se pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së.

Prokuroria shton se në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds