Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e njohur si ODIHR e hapi të enjten misionin vëzhgues për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.
Shefja e Misionit të ODIHR-it, Ambasadorja Jillian Stirk deklaroi se një ekip prej 12 ekspertësh ndërkombëtarë nga 12 vende anëtare të OSBE-së tashmë ka mbërritur në Shkup. Po ashtu, ODIHR ka ekspertë të tjerë të cilët do të angazhohen në vëzhgimin e punës së administratës zgjedhore, të zbatimit të ligjeve mbi fushatën, mjedisin politik, financimin e fushatës dhe punën e medias.
Zonja Stirk tha se një grup i vëzhguesve afatgjatë prej 20 vetësh do të vendosen në qytetet si: Tetova, Ohri, Manastiri, Prilepi, Strumica, Kumanova, Koçana, dhe Shtipi, ndërsa dy ekipe do të qëndrojnë këtu në Shkup. Edhe këta 20 vëzhgues afatgjatë vijnë nga 20 vende të ndryshme të OSBE-së.
Shefja e Misionit të ODIHR-it bëri të ditur se janë kërkuar 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të arrijnë pak ditë para datës së zgjedhjeve. Ata do të vizitojnë qendrat e votimit dhe do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave. Ata do të arrijnë pak para 24 prillit dhe 8 majit.
ODIHR do të përgatisë raportin e parë më 9 prill pas takimeve dhe komunikimeve me të gjitha palët pjesëmarrëse në zgjedhje.
Misioni do t’i trajtotë ndarazi zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, por do të kombinojë gjetjet nga të dy proceset zgjedhore.