Shkrirja e Gjykatës së Lushnjës dhe transferimi i 2000 dosjeve në gjykatën e Fierit, ka sjellë reagimin e dhomës së avokatëve në Fier. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj, në një prononcim për mediat është shprehur se shkrirja e gjykatës së Lushnjës dhe transferimi i çështjeve në Fier, do të sjellë kaos.
Janë rreth 2000 dosje të qytetarëve të Lushnjës, të cilat do të gjykohen tashmë në gjykatën e Fierit dhe sipas Hamatajt, kostot bien mbi xhepat e qytetarëve, pasi do të zgjatet koha e gjykimit të çështjeve duke shkuar edhe në dy vjet.
“Protestat e avokatëve ranë në vesh të shurdhër,tha Hamataj dhe sot jemi në situatën që nëse qytetarët ankoheshin se vonesat për një gjykim civil në shkallë të parë shkonin nga 7 muaj deri në një vit, tani do të kenë një kohëzgjatje deri në dy vjet”
Kaosi do të përfshijë edhe Prokurorinë e Fierit, është shprehur avokati Ervis Goxhaj, i cili ka argumentuar faktin e një situate të vështirë për shqyrtimin e çështjeve si pasojë e një numri të reduktuar në gati 30-40 % të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Si zgjidhje për një të ardhme të afërt avokati Goxhaj ka sygjeruar shkurtimin e afatit të studimit për magjistratët e rinj (nëse një magjistrati i duhen tre vjet për të marrë titullin, të reduktohet për një vit praktika kualifikuese duke u futur direkt në sistemin gjyqësor).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *