Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në përfundim të hetimit për vrasjen e Aurelio Dervishit, ka çuar në gjyq 4 të rinj, si autorë të dyshuar të krimit.
Bëhet fjalë për shtetasit me inicialet Sh.H., Frensis Shehu, B.Sh., dhe I.I., për veprën penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 76-25 i Kodit Penal.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Nga hetimet rezultoi e provuar se rreth orës 20:45 pm të 31.03.2024 personat e arrestuar kanë parë duke lëvizur mjetin tip ‘Audi’ me të cilin lëvizte viktima, shtetasi A.D., me miqtë e tij dhe një vajzë që dyshohet se kishte pasur lidhje me parë më një nga bashkëpunëtorët në vrasje shtetasin F.Sh.
Për shkak të xhelozisë e duke menduar se po qeshnin me të, shtetasi F.Sh. i ndoqi nga pas me makinë duke i prerë rrugën. Në grindje e sipër, ai ka kërkuar nga shoku i tij, shtetasi Sh.H., të nxjerrë thikën dhe të qëllojë viktimën. Ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë janë rrahur me grushte me viktimën dhe shokët e tij.
Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se viktima, shtetasi A.D. humbi jetën si pasojë e shokut hemorragjik traumatik nga plaga e marë në kraharor.
Nga analiza e të dhënave të administruara, rezultoi e provuar se nga shtetasit Sh.H., F.Sh., B.Sh dhe I.I. kanë konsumuar elementet e figurës së Veprës Penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ në dëm të të ndjerit A.D.
Këta persona me dashje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime aktive të kundraligjshme që konsistojnë në goditjen me sende të forta dhe me thikë.