Një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur në ishullin Kos të Greqisë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e rrugës “Porphyriou” e cila është e mbushur plot me biznese dhe restorante turistike, ku dy shqiptarë janë konfliktuar “pretenduar” të njëjtët klientë. Menaxheri i një restoranti ka tentuar të “bindë” turistët kalimtarë të vizitojnë lokalin ku ai punonte, gjë që shkaktoi shpërthimin e pronarit të një biznesi fqinj.
Dy burrat u përplasën me njëri-tjetrën, teksa menaxheri 31-vjeçar me origjinë shqiptare i një lokali rrahu brutalisht kolegun e tij bashkatdhetar. Në fakt, sipas informacioneve, 31-vjeçari ka qenë sportist i arteve marciale në të kaluarën.
Rezultat i sherrit ishte plagosja e rëndë e pronarit të biznesit tjetër, i cili fillimisht u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Kos për t’iu dhënë ndihma e parë pasi kishte lëndime në kokë, por për shkak të plagëve të marra, u dërgua në spitalin e Rodos ku po trajtohet në repartin e kujdesit intensiv me dëmtime të rënda në tru.
31-vjeçari shqiptar është arrestuar nga Policia dhe ndodhet në paraburgim, si dhe 2 bashkatdhetarë të tjerë që kanë marrë pjesë në sherr.