Ushtria amerikane tha se po rrit aftësitë e saj të mbështetjes së operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme dhe se po vendos trupa shtesë në gjendje gatishmërie për dislokim të mundshëm në rajon, ndërsa paralajmëroi Iranin kundër zgjerimit të konfliktit.

Njoftimi erdhi dy ditë pasi Presidenti Joe Biden udhëzoi Pentagonin të riorganizojë forcat amerikane në Lindjen e Mesme mes shqetësimeve në rritje se vrasja nga Izraeli e udhëheqësit të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani mund të shkaktojë reagime hakmarrëse nga Teherani.

“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të frenojnë Iranin dhe grupet e mbështetura nga Teherani nga shfrytëzimi i situatës së tanishme apo përpjekjet për zgjerim të konfliktit”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Patrick Ryder.

 Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Irani apo grupet që mbështeten nga Teherani “përdorin këtë moment për të vënë në shënjestër personelin amerikan ose interesat amerikane në rajon, Shtetet e Bashkuara do të marrin çdo masë të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”.

Deklarata e Pentagonit ofroi pak të dhëna mbi nivelin e mbështetjes, që do të ofrojë për mbështetje të operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme, duke thënë vetëm se “ne do të përforcojmë më tej aftësitë tona të mbrojtjes ajrore në ditët në vijim”

.Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje hapat e Hezbollahut për të plotësuar udhëheqjen e vet, pas eliminimit të Nasrallahut dhe figurave të tjera të larta “dhe po vazhdojnë të diskutojnë me izraelitët mbi hapat e ardhshëm të duhur”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds