Kina iu përgjigj me sanksione ndaj shtatë kompanive të huaja njoftimeve të fundit se Shtetet e Bashkuara do t`i shesin Tajvanit pajisje ushtarake si dhe do t’i ofrojë të tjera ndihma në këtë sektor. Sanksionet vijnë edhe si përgjigje ndaj miratimit së fundmi të buxhetit vjetor të shpenzimeve për mbrojtjen nga ana e qeverisë amerikane, që siç u shpreh në një deklaratë ministria e Jashtme kineze “përfshin qëndrime të shumta negative për Kinën”.
Pekini e kundërshton kategorikisht ndihmën amerikane për Tajvanin dhe shpesh vendos sanksione ndaj kompanive që kanë lidhje me to, zakonisht pasi shpallen produktet që do të shiten apo paketat e ndihmave.
Në përgjithësi sanksionet kanë ndikim të kufizuar, sepse kompanitë amerikane të mbrojtjes nuk i shesin armë ose mjete të tjera ushtarake Kinës. SHBA është furnizuesi kryesor me armë i Tajvanit.
Cdo pasuri që shtatë kompanitë e shënjestruara kanë në Kinë do të ngrijë ndërsa organizatave dhe shtetasve kinezë u ndalohet përfshirja në ndonjë aktivitetet me këto kompani, thuhet në deklaratë. Presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar autorizoi deri në 571 milionë dollarë për materiale dhe shërbime të Departamentit të Mbrojtjes si dhe trajnim ushtarak për Tajvanin.
Departamenti i Mbrojtjes njoftoi edhe miratimin e një pakete prej 295 milionë dollarë në armatime që do t’i shiten ishullit të vetëqeverisur, të cilin Kina e konsideron pjesë të patjetërsueshme të saj.