Kuvendi i Serbisë miratoi deklaratën e të ashtuquajturës bota serbe, ku zotohet për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb kudo që ndodhet.
Deklarata e miratuar fillimisht më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska përbëhet nga 49 pika dhe e përmend edhe Kosovën.
Përveç pjesës për emrin, ku quhet ‘Kosova dhe Metohija’, aty thuhet se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” dhe se Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera, sipas tyre të rrezikuara.
Nënshkruesit e deklaratës dënojnë të ashtuquajturat kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret se si po i persekuton Kosova serbët. Deklarata u votua me 139 vota pro dhe 9 kundër.