Në Mitrovicë të Veriut, serbët po protestojnë më 12 shkurt kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë dhe faktori ndërkombëtar.
Protesta po mbahet pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Protestuesit janë nga të gjitha komunat ku jetojnë komuniteti serb.
Tek ura mbi Ibër janë të pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”.
“Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviq.
Ajo shtoi se është gënjeshtër që serbët mund të hapin llogari në bankat në Kosovë, sepse sipas saj, ato “nuk pranojnë fondin pensional serb”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.
“Duhet të anulohet ky vendim dhe të mundësohet dërgimi i dinarëve në postat tona, në bankat tona”, tha Dushanka Qoroviq.
Ndërkaq, një nga protestuesit nga Zubin Potoku tha për Radion Evropa e Lirë se ai po proteston “kundër çdo gjëje, edhe kundër atyre në Beograd dhe kundër atyre në Prishtinë”, duke shtuar se “nuk i besoj më askujt”./REL