Rruga Nacionale Fier Shegan – Pushimi i Shoferit përshkon gjithë fshatrat e Myzeqesë dhe lidh edhe aksin nacional Lushnjë – Berat me autostradën Lushnjë – Fier dhe me qytetin e Divjakës. Por ky segment rrugor nuk plotëson dy elementë bazë, e para gjerësinë e rrugës dhe e dyta ka mungesë të barrierave mbrojtëse anësore në të gjithë gjatësinë e tij. Qarkullimi në këtë aks është shumë i lartë, pasi përshkon zonën bujqësore, por edhe shkurton distancën për lëvizjen drejt plazhit të Divjakës. Parakalimet janë tëpër të vështira dhe shkëmbimi i mjeteve nuk mund të bëhet normalisht.
Sikur të mos mjaftonte kjo,në fshatin Zhym, është një kthesë e dyfishtë e cila kufizohet nga një kanal kullues 4 metra të thellë, banorët e quajnë “kthesa e vdekjes” pasi në këtë nyje kanë ndodhur mjaft aksidente shpesh herë me fatalitete, për shkak të mungesës së barrierave mbrojtëse dhe të sinjalistikës horizontale për uljen e shpejtësisë të cilat mund të shmangin aksidentet.