Të dhënat fiskale të Ministrisë së Financave për gjysmën e parë të vitit, kur dhe është bërë efektive rritja e pagave, çka solli shtesë në kontributet e derdhura nga punonjësit, tregojnë se sërish ka hendek midis të ardhurave dhe shpenzimeve nga ky zë. Kështu në periudhën Janar-Qershor 2023,  të ardhurat vetëm nga kontributet e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë 68.7 miliardë lekë,  ndërsa shpenzimet për sigurime shoqërore rezultojnë afro 79.2 miliardë lekë.

Nëse do të krahasojmë vetëm këto dy zëra, deficiti në skemë rezulton afro 10.5 miliardë lekë.  Shpenzimet e sigurimeve lidhen me pensionet e pleqërisë, familjare, të invaliditetit, lejeve të lindjes, pagesat e përkohshme për paaftësi në punë, etj.

Megjithatë të ardhurat nga ky zë nëse do ta krahasojmë me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si pasojë e rritjes së pagës minimale dhe maksimale ndër vite.  Krahasimi me 6 mujorin 2022, rritja e të ardhurave regjistrohet në 10 miliardë lekë.

Efektet e rritjes së pagave në shkallë vendi gjatë këtij vitit do të shihen edhe në vijim dhe fundi i 2023 do të bëjë bilancin përfundimtar sa i takon perfomancës së skemës së pensioneve.

Ndërkohë gjatë vitit që lamë pas,  janë mbledhur nga kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore 133.3 miliardë lekë, ndërsa janë shpenzuar 156.3 miliardë lekë. Subvencioni i buxhetit të shtetit për vitin 2022 arriti në 23 miliardë lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *