Një pemë e madhe pishe ka rënë në orët e para të mëngjesit në rrugën Lushnjë – Hysgjokaj, në afërsi të varrezave të qytetit. Pema ka rënë pas reshjeve të shiut dhe erës së fortë të ditës së djeshme. Që në orën 4:00 të mëngjesit efektivët e zjarrfikësve kanë qenë në vendngjarje, pasi pema e rënë kishte bllokuar aksin rrugor. Zjarrfikësit kanë bërë prerjen e pemës dhe kanë hapur rrugën për qarkullimin e automjeteve që duhet thënë se janë të shumta nga zona e Darsisë. Pasi kanë hapur rrugën dhe prerë pemën, zjarrfikësit ja kanë lënë detyrën ndërmarrjes së pastrimit për të hequr mbetjet e drurit nga rruga. Në fakt në anë të rrugës së varrezave në këtë aks rrugor ka edhe pemë të tjera të cilat duhet të paktën të shkurtohen për të mos thënë se duhen prerë. Rënia e pemës në orët e para të mëngjesit nuk ka shkaktuar probleme por pasojat mund të ishin të rënda, nëse do të ishte rrëzuar në kohën me qarkullim mjetesh.