Kanalet vaditëse dhe kulluese në lagjen “18 Tetori” u pastruan për herë të parë para disa muajsh, pas 36 viteve. Infrastruktuara kulluese dhe ajo vaditëse, e rëndësishme në bujqësi, pas viteve 90’ nuk funksionoi më normalisht. Përmbytjet e tokave dhe shtëpive si pasojë e mbushjes me ujë të kanaleve kulluese të papastruara u bën fenomen i zakonshëm për banorët e kësaj lagjeje. Por funksioni i kanaleve kulluese është të kullojë dhe thajë tokën e jo ta përmbytë atë.
Pastrimi i vonuar i kanaleve kulluese ndërkohë që banorët paguajnë rregullisht taksat, ka dëmtuar rëndë shtëpitë e tyre duke rrezikuar shembjen nga lagështia e krijuar prej vitesh. Të frikësuar ata kanë i kanë bërë mbi 20 kërkesa bashkisë për riparimin e shtëpive.
Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa në përgjigjen e saj me shkrim ka refuzuar kërkesat e tyre duke thënë se “ shtëpia është pronë private dhe është amortizuar nga mosmirëmbajtja ndër vite. Për të tilla raste nuk ka hapsirë ligjore për ndihmë”.