Shiu dhe stuhitë ia lënë sërish vendin të nxehtit në Italinë fqinje, ku metereologët flasin për një rikthim të anticiklonit afrikan dhe rritje të temperaturave mbi 40 gradë Celsius.
Antonio Sanò, thotë se gjatë ditës së sotme nis avancimi i frontit të nxehtë që do të shtrihet në pjesën më të madhe te basenit të Mesdheut. Bëhet fjalë për rryma subtropikale përvëluese ajri, që risjellin një vapë mbytëse gjatë ditës dhe netë të mirëfillta tropikale.
Termometri në Italinë fqinje, sipas mediave atje, do të nisë rritjen e ndjeshme sidomos duke filluar nga e marta, ku zhiva e tij pritet të shënojë 38 gradë Celsius në qytete si Roma apo Firence. “Me pak fjalë, do të përballemi me një shpërthim tipik afrikan nxehtësie”, thotë Sano, sipas të cilit ishujt do të jenë vecanërisht zonat më të prekura nga kjo rritje e re anticiklonike:
në Siçili, në zonat qendrore temperature mund të shkojë edhe deri në 42-43°C, dhe në Sardenjë temperaturat do t’i afrohen 40°C. Në pjesën tjetër të Jugut termometri pritet të luhatet ndërmjet 36 dhe 38° gradë Celsius.
Këto kushte do të shoqërojnë vendin për një pjesë të mirë të javës, dhe vetëm nga fundi i saj anticikloni mund të zbutet nga rryma disi më të freskëta dhe të paqëndrueshme ajrore që zbresin veriu i Europës, e që mund të rikthejnë shirat e përkohshëm, sidomos në veri të vendit.