Temperatura e planetit arriti rekorde të reja të martën në ditën më të nxehtë të të paktën 44 viteve të fundit, dhe ndoshta edhe shumë më gjatë se kaq. E mërkura gjithashtu mund të bëhet dita e tretë me radhë që Toka arrin jozyrtarisht rekord të ri nxehtësie, treguesi më i fundit ky në një seri fenomenesh ekstreme të lidhura me ndryshimin klimatik që kanë alarmuar, por jo surprizuar, shkencëtarët.
Temperatura mesatare e globit arriti në 17.18 gradë Celcius të martën, sipas Universitetit të Meinit, i cili përdor sistemin Climate Reanalyzer që analizon të dhëna satelitore dhe simulime kompjuterike për të prodhuar një pamje të përgjithshme të gjendjes së planetit.
Të hënën, temperatura mesatare ishte 17.01 gradë Celcius, duke thyer kështu rekordin, që zgjati vetëm 24 orë.
Ndërsa shumë vende po përjetojnë temperatura në 37.8 gradë Celcius, mesatarja e re mund të mos duket shumë e lartë. Por mesatarja globale e së martës ishte gati një gradë Celcius më e lartë se mesatarja e viteve 1979-2000, që ishte mbi mesataren e shekujve 20 dhe 19.