Tenderat e Teknologjisë së Informacionit po shndërrohen në një gropë të madhe të parasë publike, pasi në shumicën e rasteve paratë e shpenzuara asgjësojnë ose dublojnë veten. Për këtë mjafton vetëm një fakt.

Qeveria shqiptare ka shpenzuar më shumë para për të ngritur sisteme kompjuterike gjobash se sa paguan për të sëmurët në pavionin e onkologjikut. Dhe shpenzimet vazhdojnë. Rasti i radhës është sistemi i ri qëndror i gjobave.

Pasi shpenzoi rreth 3.5 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjobave të policisë rrugore, tani AKSHI-t do të shpenzojë edhe 3 milionë e 600 mijë euro të tjera për të ndërtuar një portal të centralizuar për të gjitha gjobat e shtetit.

Sipas dokumentave të depozituara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, fituesi i tenderit do të ndërtojë një portal unik, i cili do të centralizojë të gjitha gjobat që vendosen nga institucionet dhe inspektoriatet e ndryshme të shtetit.

“Qëllimi është të ndërtohet një portal qëndror që mundëson menaxhimin e të gjitha aspekteve të gjobave, duke filluar nga lëshimi i tyre deri tek mbledhja dhe regjistrimi i pagesave. Ky portal do të jetë i aksesueshëm për të gjitha institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe do të ofrojë një mjedis të përshtatshëm për qytetarët dhe bizneset për të shlyer detyrimet e tyre financiare,” thuhet në dokumentat e tenderit.

Portali do tu mundësojë gjithashtu edhe qytetarëve apo bizneseve që të shohin në kohë reale gjobat që ata kanë marrë nga shteti.

“Ofrimi i një ndërfaqeje të thjeshtë dhe intuitive për qytetarët dhe bizneset e aksesueshme përmes portalit e-albania për të menaxhuar dhe kryer pagesat e tyre, duke përfshirë gjithashtu funksionalitete për njoftimin automatik dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore,” thuhet në dokumenta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds