Vijojnë punimet për rikonstruktimin e Unazës së Lushnjës e cila fillon nga postblloku i hyrjes veriore të qytetit, kalon para stacionit të trenit dhe mbaron tek rrethrrotullimi i ish Uzinës së Plastmasit. Aktualisht po punohet me shtrirjen e tubacioneve të ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e murit fasadë që do të jetë i njëjtë për të gjitha ndërtesat të cilat janë në të dyja anët e rrugës. Gjerësia e rrugës është 18 metra, kështu që po vazhdohet me prishjet e ndërtesave dhe me zgjerimin e rrugës. Banorët e kërkonin prej më shumë se 30 vitesh këtë investim dhe nuk kundërshtuan prishjen e ndërtesave në pronësi të tyre. Ka përfunduar kasoneta në të dy anët e rrugës. Gjithashtu në projekt janë parashikuar trotuaret për këmbësorët dhe biçikletat, mbjellja e pemëve për të gjelbëruar rrugën dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Unaza e re do të ndryshojë pamjen e qytetit dhe do të lehtësojë punën e bizneseve në këtë zonë, se kjo rrugë ka vijën më të gjatë të bizneseve. Dhe me rregullimin e Unazës qyteti do të marrë frymë lirshëm nga trafiku. Projekti financohet nga Banka Botërore dhe zhvillohet nga Fondi i Zhvillimit. Vlera e kontratës është 133, 693, 965 lekë. Punimet kanë filluar në muajin qershor dhe do të zgjasin 9 muaj