Publikohen testet model të provimeve të Maturës Shtetërore 2025, të cilat po shpërndahen të gjitha shkollat e mesme të vendit por njëkohësisht mund të aksesohet online në faqen zyrtare të qendrës së shërbimeve arsimore. Tashmë të gjithë maturantët që janë duke u përgatitur për provimet shtetërore të detyruara dhe me zgjedhje kanë mundësinë të shohin shembuj pyetjesh dhe mënyrën e hartimit të tezës për një gamë të gjerë lëndësh.
Në faqen zyrtare të shërbimeve arsimore aktualisht janë publikuar teza të gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës, gjuhëve të huaja si anglishtja, italiashtja dhe frëngjishtja apo edhe lëndë si Qytetaria, Psikologjia, Ekonomia, Biologjia, Fizika, Kimia dhe shumë të tjera.
Janë përfshirë gjithashtu teste model për drejtimet profesionale, si Mbështetja e Përdoruesve TIK, Hoteleria dhe Turizmi, si dhe Shkollat e Mesme Teknike. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu shprehet se: “Publikimi i testeve model të provimeve të Maturës Shtetërore 2025 që në fillim të janarit, ka për qëllim të ndihmojë maturantët që të kenë më shumë kohë në dispozicion për përgatitjen e tyre për provimet përfundimtare.”