Sherri në grup adoleshentësh në sheshin e qytetit të Kukësit, me plagosjen rëndë me thikë të një 15-vjeçari nuk është një rast i izoluar.  

Shqetësuese dhe deri në kufijtë e alarmit për studiuesit janë rritjet e statistikave të dhunës dhe ulja e moshës kur ndodhin konfliktet mes të miturve.

“Nëse para disa vitesh mund të kishim konflikte sporadike nga adoleshentë problematikë me sjellje antisociale, tani jo vetëm janë më të shtuara në sasi si episode por nisin edhe më herët. Pra, nëse më parë viheshin re këto fenomene në adoleshencën e vonë, apo rininë e hershme, tani e hasim më shpesh te 13-14-15 vjeçarët’, thotë  psikologe Lorela Garuli, terapiste për adoleshentë.

“Është një dukuri tashmë, që raportohet në statistika të ndryshme që vijnë nga institucionet e rendit, ku flitet për të mitur që kanë nisur që në mosha shumë të vogla një karrierë të jetës kriminale, të mitur që bëjnë vjedhje, që janë pjesë e rrjeteve të ndryshme për shpërndarjen e substancave narkotike, për të mitur që kryejnë plagosje, që përdorin armë të ftohta”, thotë Entela Binajku, sociologe

Përkeqësimi i situatës lidhet me disa faktorë, shpjegojnë psikologët dhe sociologët, por ndikim të pakundërshtuar kanë varësia nga teknologjia dhe modelet e gabuara që ndjekin online në rrjete sociale që ju ndez dëshirën për t’i kopjuar.

“Të rinjtë e këtij target grupi, sidomos djemtë, që ndjekin online modele të caktuara të pseudovipash të cilët promovojnë mbajtjen e armëve, dhunë, sherre; adoleshenti e merr si model, se është duke krijuar identitetin e tij dhe rezultati është ky. Nga ana tjetër pamundësia që kanë shpeshherë familjet shqiptare apo shkolla, fakti që prindërit punojnë me orë të gjata, mungesa e komunikimit”, thotë për Top Channel Garuli.

“Ne shohim që shpeshherë të miturit vihen në situata të vështira se i tërheq një jetë mikluese që nuk kanë mundësi ta bëjnë, për shkak se të ndodhur pa shkollë, pa të ardhura, janë gjithmonë të pakënaqur nga jeta dhe brenda tyre konflikti është gjithmonë i ndezur. Por të ndodhur edhe në kushtet e një qyteti të varfër, që nuk ofron asgjë për mirërritjen e tyre janë lehtësisht të manipulueshëm”, shprehet Binjaku.

Me përfundimin e mësimit dhe mungesa e aktiviteteve në qytetet e vogla, koha e lirë gjatë pushimeve verore duket se krijon më shumë hapësira për adoleshentët që të shfaqur sjellje agresive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds