Hetimet e deritanishme për eksportin e 816 ton mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës po bëhen nga prokuroria e Durrësit.

Mësohet se kjo prokurori ka marrë në pyetje drejtuesen e një kompanie që ka bërë eksportin e mbetjeve për të mësuar origjinën e tyre. Ndërkohë po hetohet sjellja e autoriteteve shqiptare që nga doganat por edhe porti i Durrësit për mënyrën se si është trajtuar ngarkesa me mbetje.

Ndërkaq po heton edhe njësia antikorrupsion e bashkimit europian OLAF si dhe institucione të tjera. Nga hetimet rezulton se kompania Sokolaj ka qenë përgjegjëse për eksportin e këtyre mbetjeve, të cilat i ka blerë nga KURUM. Vetë kompania e metalurgjisë në Elbasan mohon të ketë eksportuar mbetje.

Në fakt eksportin e ka bërë kompania tjetër që rezulton se këtë proces e kryen me mbetjet e metalurgjisë të cilat riciklohen për të nxjerrë zink, duke i marrë ato edhe nga vende të tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut apo Kroacia. Ndërkohë që mësohet se drejtuesja e kompanisë eksportuese ka pranuar se dy ngarkesat e nisura drejt Tajlandës, njëra prej të cilave u bllokua në portin e Singaporit, i ka blerë nga kompania KURUM si oksid hekuri.

Faturat e blerjes janë sekuestruar nga prokuroria, e cila tashmë po heton edhe blerjen e mbetjeve nga Sokolaj sha te kompania me seli në Kroaci GS Minerals D.O.O, një procedurë që është gjithashtu nën hetim. Edhe KURUM, që më parë mohoi të ketë kryer transport lëndësh të rrezikshme, ka pranuar se i ka shitur kompanisë Sokolaj ngarkesën e deklaruar si oksid hekuri, por që dyshohet të jetë pluhur furrash çeliku.

Në dokumentacionin e doganës të datës 4 korrik, kur është nisur ngarkesa, thuhej se destinacioni final ishte Tajlanda, ndërsa kompania që ka marrë sasinë është GS MINERALS, e regjistruar në Rijeka, Kroaci. Kjo ngarkesë nuk kaloi kontrollin me skaner, pasi ishte klasifikuar si lëndë rifuxho.

Operatori ndërkombëtar Maersk ka deklaruar se ngarkesa prej 100 kontejnerësh që po transportohet prej anijeve të saj transoqeanike do të rikthehet në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds